Prizreni po bëhet gati për trajtimin e ujërave të zeza

Disa vite pas fillimit të punimeve, Impianti i Ujërave të Zeza në fshatin Vlashnje të Prizrenit është pothuajse gati për operim. Aktualisht, ky impiant është në fazën e testimeve, ani pse nga dhjetori i vitit të shkuar ka filluar trajtimi i ujërave të zeza.

Drejtuesit e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh. A dhe ata të Komunës së Prizrenit, të hënën, kanë theksuar se projekti i filluar në vitin 2012, tanimë është në prag të finalizimit. Sipas tyre Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza për periudhën 6+6 muaj është në fazën e testimeve, gjatë të cilës kohë ujërat e zeza po trajtohen dhe se pas pastrimit po derdhen në lum.

Zenel Zenelaj, u.d. Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Hidroregjioni Jugor” ka theksuar se projekti 22 milionësh është bashkëfinancim i bankës gjermane KFW, MMPH-së dhe Komunës së Prizrenit, ku granti i bankës gjermane kap vlerën prej 12 milionë eurove. Sipas tij, në këtë impiant po trajtohen ujërat sipas projektit të planifikuar, i cili do të vijojë këtë vit edhe me riparimet në 13 kilometra kanalizim.

“Tash veç kemi arritur në finalizimin e projektit. Nga 12 dhjetori 2020 kemi filluar me funksionalizimin dhe trajtimin e ujërave të zeza, që është duke shkuar sipas parashikimeve. Është duke u trajtuar pjesërisht, jo krejt qyteti, pjesa e djathtë e rrjedhës së Lumbardhit, kurse pjesa tjetër mbetet për fazën e ardhshme”, ka thënë Zenelaj, duke shtuar se projekti i IUZ-së ka filluar në vitin 2012, dhe se është i pari i këtij lloji në Kosovë.

i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka deklaruar se për këtë projekt kapital në vitin 2012 është bërë studimi i fizibilitetit, derisa punimet kanë filluar në vitin 2017 për shkak të vonesave me shpronësime. Sipas tij, Komuna është dakorduar me Qeverinë edhe për pagesat e mbetura në vlerë prej 960 mijë eurove lidhur me këtë projekt. Gjatë vizitës së realizuar të hënën, ai ka theksuar se impianti ka teknologjinë e fundit për trajtimin e ujërave të zeza, dhe njëherësh ka shprehur mirënjohje për gjithë akterët e përfshirë në jetësimin e këtij projekti.

“Impianti ka qenë një kohë të gjatë gati. Për shkak të problemeve, të cilat kanë qenë me disa pagesa është vonuar. Por sidoqoftë që nga fillimi i vitit ka filluar puna në impiant”, ka thënë Haskuka.

Kreu i Komunës së Prizrenit ka shtuar se deri më tash është pastruar një sasi e konsiderueshme e ujërave, që pastaj të pastra derdhen në Lumbardh.

“Impianti ka hyrë në funksion në dhjetor të vitit 2020, me një kapacitet prej 510 m3 në orë dhe deri më tani janë trajtuar rreth 3.2 milionë metër në kub ujë, i cili tanimë në Lumbardh derdhet i pastruar”, është shprehur Haskuka. Njëherësh është zotuar se Komuna e Prizrenit do t’i vazhdojë investimet në projektet që ndikojnë në mbrojtjen e natyrës.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” javë më parë pati njoftuar konsumatorët se nga data 1 maj 2021 do të ketë zbatim të tarifës për trajtimin e ujërave të ndotura, duke u bazuar në vendimin e Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit të datës 31.12.2020 për Miratimin e Urdhëresës së tarifave të shërbimeve.

BURIMI: / KOHA.NET /

Scroll to Top
Copy link